SPECIALE/ Cilat janë risitë që sjell seria e re e kartëmonedhave! Kur do keni në duar lekët lekët më sigurt?!

23 Shtator 2019, 19:18

Në vitin 1996 Banka e Shqipërisë ka emetuar serinë e kartëmonedhave aktuale, të cilat tashmë do të ndryshojnë përsëri. Në 12 shator 2019, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko prezantoi serinë e re të kartëmonedhave, e cila vjen e rikonfiguruar dhe e ristilizuar artistikisht, duke mundësuar aplikimin e teknologjive dhe zhvillimeve më të fundit në industrinë e prodhimit të kartëmonedhave. Kjo seri e re sipas Bankës së Shqipërisë gërsheton sigurinë maksimale, pamjen moderne, komunikimin artistik të mesazhit historik dhe rezistencën më të lartë gjatë përdorimit. Ajo është rikonceptuar e plotë me 6 prerje: 200, 500, 1.000, 2.000, 5.000 dhe 10.000 Lekë. Kartëmonedha 200 lekë dhe 5000 lekë do të hidhen në qarkullim në 30 shator 2019, të cilat do të kenë të njëjtin kurs ligjor si kartëmonedhat aktuale. 

Nëndrejtori i Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë, Ervin Sahatçiu, ka prezantuar për Report TV, të gjitha risitë dhe elementet e sigurisë që mbartë emisioni i ri i kartëmonedhave.

Zoti Sahatçiu, si lindi nevoja për një seri të re kartëmonedhash?

Një nga detyrat kryesore të BSH është emetimi i kartëmonedhave me kurs ligjorë, gjithashtu banka ka përgjegjësinë për ruajtjen e integritetit dhe besueshmërisë të kartëmonedhave që ajo emeton.

Seria aktuale daton që prej vitit 1996, pra kanë kaluar 23 vite që nga emetimi i saj për herë të parë dhe njihet si praktikë ne vendet tjera bankat evropiane e më gjerë qe në periudha 12 ose 20 vjeçare ato bëjnë një rishikim dhe përmirësim të serive të tyre të kartëmonedhave.

Cilat janë disa nga risitë që kanë seria e re e kartëmonedhave të prezantuara nga Banka e Shqipërisë?

Po këto kartëmonedha kanë disa të reja por unë do ti përmblidhja në tre drejtime kryesore, që janë:

1. Së pari ato janë më të sigurta pasi janë të integruara në to elemente të sofistikuara të sigurisë.

2. Janë përdorur teknika bashkëkohore në drejtim të dizajnit të elementeve kryesor dhe ato shoqërues të kartëmonedhës.

3. Ato janë më rezistente për shkak të përdorimit të elementeve më rezistent, siç është polimeri që është përdorur në kartëmonedhën 200 lekë.

Ju keni përdorur material polimeri tek 200 lekëshi, pse ky material?

Për shkak se polimeri është një material më rezistent se letra, është më rezistent ndaj ndaj agjentëve atmosferik si lagështira dhe pluhuri dhe bën qe kartëmonedha të jetë më gjatë në qarkullim. Arsyeja kryesore është fakti që kartëmonedhat me vlerë më të vogël përdoren më me pak kujdes dhe janë më të dëmtuarat në treg.

Çfarë do të ndodhë më kartëmonedhat e tjera që janë ne qarkullim?

Të gjitha kartëmonedhat ekzistuese të emetimit aktual do të vazhdojnë të qëndrojnë në qarkullim, ato do të kenë kurs ligjor dhe do të vazhdojnë të përdoren si mjet pagese për kryerjen e blerjes së mallrave dhe shërbimeve nga agjentë ekonomik edhe publiku.

Cilët janë elementët e shtuar të sigurisë në këto kartëmonedha të reja?

Ato kanë një seri elementësh të shtuar dhe përmirësuar. Si këshillë e parë për publikun, gjithmonë duhet të kontrollojnë kartëmonedhat përpara kryerjes së një transaksioni, dhe mënyra që ne sugjerojmë për kontrollin është ajo nëpërmjet prekjes, shikimit dhe lëvizjes së kartëmonedhës.

1. Nëpërmjet prekjes përdoruesi mund të dallojë përbërjen e kartëmonedhës. 200 lekëshi është shtypur në polimeri dhe gjatë prekjes ajo të jep një ndjesi të veçantë. Nëpërmjet prekjes dallohet shtypi me reliev që është shumë i ndjeshëm në portretin kryesor të kartëmonedhës, në numrat që tregojnë vlerën nominale, në shkrimet e kartëmonedhës dhe në vijat e printuara në anët anësore të kartëmonedhës.

Nëpërmjet shikimit dhe mbajtjes së kartëmonedhës kundrejt dritës, ai mund të dallojë  tek kartëmonedha 200 lekë elementin dritare, i cili  për herë të parë është integruar në kartëmonedhat shqiptare, dhe përkufizohet si një formë e paprintuar në trupin e kartëmonedhës dhe nëse do ta mbajmë kartëmonedhën kundrejt dritës do të shohim se ajo është e tejdukshme dhe në të është gdhendur portreti i Naim Frashrit që në këtë rast është portreti kryesor i kartëmonedhë. Një element tjetër është elementi i regjistrimit që është një imazh i stilizuar i shqiponjës i cilin në pjesën ballore të kartëmonedhës është i paprintuar ndërsa në pjesën e pasme është i printuar. Element i shtuar është shiriti i shndritshme i vendosur në pjesën e pasme të kartëmonedhës.

2. Elementët e kartëmonedhës 5000 lekë, që do të ndjekë metodën prek, shiko dhe lëviz. Portreti kryesor, numrat që tregojnë vlerën nominale, shkrimet dhe vijat anësore janë të shtypura me shtypin me reliev dhe të ndjeshme në momentin e prekjes. Nëse do ta mbajmë kartëmonedhën kundrejt dritës do të vërejmë që në pjesën e djathtë do të shfaqet në brendësi të letrës imazhi kryesor i kartëmonedhës, së bashku me vlerën nominale. Kjo është figura ujore që është një element sigurie i integruar në kartëmonedhë. Gjithashtu filli i sigurisë  është i ndërthurur në letrën e kartëmonedhës me dritare dhe nëse do ta mbajmë kundrejt dritës ai do të duket si një vijë e errët e pandërprerë. Përsëri në këtë monedhë është elementi i regjistrimit, imazhi i stilizuar i shqiponjës së paprintuar dhe të printuar në pjesën e pasme. Në krahun e mjatë të kartëmonedhës kemi hologramën ose shiritin e argjendtë e cila në varësi të këndvështrimit do të ndryshojë imazhe  ose efektin në të katërt elementët e saj. Kemi stemën e bankës imazhin kryesor, vlerën nominale dhe mburojën së bashku me shpatën.

Çfarë do të ndodhë me kartëmonedhat e tjera që janë në qarkullim, do të asgjësohen ato që janë më të përdorura, si do të procedohet në këtë pjesë?

Këtu mund të theksojmë se kartëmonedha hidhet në qarkullim nëpërmjet sistemit bankar. Pas përdorimit ato kthehen në Bankën e Shqipërisë përsëri nga bankat e nivelit të dytë, më pas ato në Bankën e Shqipërisë i nënshtrohen një procesi verifikimi, kontrollit për cilësi dhe autencitet dhe nëse ato rezultojnë të përshtatshme për qarkullim ato do të paketohen dhe do të përgatiten për tu hedhur në qarkullim, ndërsa ato që rezultojnë të papërshtatshme  do të asgjësohen nëpërmjet grirjes  dhe do të zëvendësohen rast pas rasti me kartëmonedhat e reja.