Speciale/ Nga kyçia e stadiumeve, kriza ekonomike dhe infektimet në futboll, si sporti më i dashur në botë mposhti koronavirusin

31 Maj 2020, 16:31

Fillimi i muajit mars ishte i trishtë për gjithë botën, por më së shumti për kontinentin e vjetër, Europën. Duke nisur nga vendet më të zhvilluara, të cilat me radhë mbyllën kufinjtë, fluturimet, aktivitet jetësore dhe njerëzit në shtëpi. Gjendja paraqitej pezmatuese, pasi tashmë brenda katër mureve nuk kishte më për të parë as sport e as art, asgjë, pasi vëmendja ishte te një vend i vetëm: mbijetesa!

Të mendohej për futboll tashmë ishte disi e tëpërt. Pas vendimit që të luhej pa tifozë u kalua në një tjetër ekstrem, ndërprerja për një datë të pacaktuar të kampionateve. Si një nga vendet më te prekura nga COVID-19, me datë 9 mars kryeministri i Italisë Guiseppe Conte lajmëroi ndërprerjen e çdo aktiviteti sportiv, përfshirë edhe Seria A, si një ndër 5 kampionatet më të rëndësishme të Europës.