SPECIALE/ Futbolli në 365 ditë. Partizani ia del pas çerekshekulli, Liverpool 'pushton' Europën (VIDEO)

31 Dhjetor 2019, 15:25 | Përditesimi i fundit: 2020-01-01 14:51:54

Futbolli shqiptar dhe ekzatësisht Superliga në këto 365 ditë të 2019 ka patur për fitues një skuadër e cila nuk e ngrinte trofeun prej 26 vitesh. Bëhet fjalë për skuadrën e Partizanit që prej shumë kohësh i rrotullohej trofeut më të rëndësishëm në vend, por arriti t’ia dilte vetëm pas më shumë se një çerekshekulli.

Të shumtë ishin lojtarët dhe trajnerët, por edhe presidentët që kërkuan ta kthenin skuadrën e kuqe në majë të futbollit shqiptar, por ata që ia dolën ishin Gazmend Demi dhe Skënder Gega, trajneri i cili për shumë specialtë futbolli bëri mrekullinë. Kjo pasi ‘demat’ nuk u shquan për cilësi të lartë në organikë, por për një organizim grupi dhe frymë që rrallë ishte parë në skuadrat tona.

Festa për titullin ishte e dyfishtë, pasi Partizani e siguroi matematikisht në ndeshjen derbi kundër Tiranës, falë rezultatit 2-1.

Pas 36 javësh kampionat Partizani grumbulloi në total 70 pikë, 11 më shumë se Kukësi i vendit të dytë që e rivalizoi për shumë pak javë.