Politika në 2018/ Shuplakat qytetare që zbrapsën Ramën e lanë në hije Bashën

31 Dhjetor 2018, 18:35 | Përditesimi i fundit: 2018-12-31 18:50:23

Në këtë oborr në 4 dhjetor u mblodhën studentët e arkitekturës për të kundërshtuar tarifat për provimet e mbartura. Ata mbase as vetë nuk e dinin që ishin fitili i sapo ndezur i një lëvizjeje studentore të pa parë ndonjëherë në 28 vite. Një ortek aq i fortë saqë ndryshoi brenda muajit 60 % të qeverisë edhe pse nuk e kërkoi këtë.

“Protesta e studentëve ishte një shuplakë për qeverinë, një grusht për opozitën dhe një shpresë për shoqërinë”,-tha Rama në parlament në  13 dhjetor.  Qeveria jo vetëm që reagoi menjëherë, anuloi tarifat e provimeve të mbartura, përgjysmoi thuajse gjithë tarifat vjetore, por edhe mori përgjegjësi për 8 kërkesat studentore, duke hartuar Paktin për Universitetin.

“Ajo çfarë studentët sollën ishte rikthimi i ndjenjës së protestës në Shqipëri. Suksesi më i madh i tyre ky është. Në aspektin e përfaqësimit institucional studentët ishin të pa organizuar dhe nuk arritën që gjithë atë protestë dhe zërin e tyre ta kanalizojnë në mënyrë institucionale. Nuk i zgjidhën problemet për arsimin, por ata tundën politikën dhe ky është një sukses i tyre”,-thotë Afrim Krasniqi, analist.

“Një akt i madh lirie pasi vendi kishte kohë që ishte në një apati të reagimit qytetar, por kishte dhe shumë kohë që ishte zhytur në propagandën politike e cila nuk lejonte kurrë që fasada e madhe e ndërtuar si pasojë e propagandës të binte”,-thotë Fitim Zekthi, analist.