Opozita premtoi se nuk do të bënte politikë me Covid-19. Por lufta me koronavirus u kthye në një prej përplasjeve më të ashpra mes palëve gjatë vitit 2020. PD e LSI që prej nisjes së pandemisë, akuzuan qeverinë se po i lë njerëzit të vetëm përballë sfidës globale. Masat e marra në mars të 2020, u kritikuan nga opozitarët jashtëparlamenti. Në qasjen për pandeminë, e vetmja gjë që duket se i bashkoi krerët e opozitës, ishin kritikat ndaj qeverisë Rama. Mesazhet që Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi i dhanë qytetarëve ishin plotësisht jo në të njëjtën linjë. Pas daljes së vendit nga karantina, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nisi takimet për tu njohur ng afër me problemet që la pandemia. Vendimi për të izoluar vendin, për opozitën shkaktoi një krizë të thellë ekonomike. Për këtë arsye, Partia Demokratike propozoi një plan 6 mujor masash që duhet të ndiqeshin nga mazhoranca. Takimet në terren i zëvendësoi me konferencat për shtyp, nga ku adresoi akuza të rënda në drejtim të qeverisë, se në kohë pandemie, shpërndante para për tendera korruptivë. Por teksa Basha paralajmëronte një situatë në përkeqësim me afrimin e vjeshtës, Kryemadhi nisi takimet politike, e në kohën kur shifrat e infektimit rriteshin, simpatizantët e LSI thyen me të dy këmbët rregullat anticovid, pa distancë fizike dhe pa mbajtur maskë, edhe kur kjo e fundit u bë e detyrueshme me ligj. Kryetarja e LSI u gjobit disa herë për mos-respektimin e këtyre masave. Përplasja më e ashpër mes opozitës dhe mazhorancës erdhi pas një deklarate të Kryedemokratit Lulzim Basha se po manipulohen shifrat e infeksionit në vend. Madje ai shkoi edhe më tej duke thënë se shifrat reale të vdekjeve u fshehën. Kjo nxiti edhe reagimin e ashpër të kryeministrit Rama. Edhe Institucioni i Presidencës u përfshi në përplasjet për pandeminë, të cilat shpeshherë u konsideruan politike. Presidenti Meta kritikoi qeverinë se nuk ka marrë masat e duhura,duke bërë thirrje për rritje të testimeve, mbështetje financiare dhe më shumë transparencë. Në sjelljen ndaj pandemisë, Meta vlerësoi opozitën me notën 10. Partitë e vogla opozitare gjithashtu u shprehën kundër masave të marra nga autoritetet shëndetësore. Më e kritikuara ishte ndalimi i aktiviteteve politike dhe i grumbullimeve më shumë se 10 persona. As nuk e respektuan! Dhjetori rezervoi përplasje edhe për buxhetin e alokuar në mbështetje të shëndetësisë dhe pasojave që pandemia ka lënë në ekonomi. Përfundimi i luftës së akuzave të opozitës ndaj qeverisë për pandeminë ende duket i largët. Në fokus tashmë është debati për vaksinën. Opozita akuzon se qeveria nuk po bën përpjekjet e duhura për ta siguruar atë ndërsa Lulzim Basha ka artikuluar publikisht se po bën përpjekjet e tij që vendet fqinje të na ndihmojnë në përpjekjen për të bërë vaksinimin e popullsisë anti-covid.
