Specialisti i turizmit për Report Tv: Kriza politike e dëmtoi ndjeshëm, shteti të mendojë për vitin e ardhshëm

16 Shtator 2019, 16:05

“Ka pasur anulime edhe në fillim të vitit nga trazirat politike, në janar, shkurt por edhe më mbrapa. Të mendojmë sa më shpejt për 2020, sepse pothuajse fillon e planifikohet që tani nga operatorët e huaj, që vendosin nëse do ta fusin apo jo në katalogët e tyre” tha kreu i Turoperatorëve.

Gërxhani po ashtu pohon se sezoni veror i këtij përsëri mori më shumë vëmendje dhe se duhet akoma më shumë investim për të shtrirë turizmin në 12 muaj të vitit. Kreu i turoperatorëve vlerëson si nismë pozitive aksionin për të liruar hapësirat publike në plazhe, por thekson se nuk duhet të ishte ndërmarrë në kulmin e sezonit.

“Nëse do të flasim për plazhin ngarkesën më të madhe e ka marrë Durrësi dhe Saranda për shkak se kanë aeroporte afër. Pjesa e kulturës, janë zonat e mbrojtura nga UNESCO, Berat dhe Gjirokastër, po ashtu dhe Shkodra. Ndërsa për turizmin malor dhe natyrën është Thethi dhe Valbona” pohon Gërxhani.

Më shumë se 4.8 milionë turistë të huaj kanë hyrë në Shqipëri në 8 muajit e këtij viti, referuar të dhënave të Ministrisë së Turizmit.  Ndërkohë numri i lartë i hyrjeve nga të huaj në vend është shënuar në muajin gusht, ku vendin tonë e kanë vizituar 1 milionë e 556 mijë persona.