Specialisti i vizave shpjegon aplikimin për lotarinë amerikane

5 Tetor 2018, 14:53

Fotografia është një prej elementëve më të rëndësishëm që duhet të keni shumë kujdes gjatë plotësimit të aplikimit për Lotarinë Amerikane. Zëvendës-konsulli i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Omar Medina dhe Lorenc Mansaku, specialist per vizat ishin sot të ftuar në studion e “Rreze Dielli” në Report TV ku shpjeguan hap pas hapi mënyrën se si duhet plotësuar aplikimi dhe pikat ku duhet të jemi më të kujdesshëm. Mansaku tha se një nga pikat që qytetarët shqiptarë ngatërrojnë më shumë është kutia e “Middle name” (emri i mesit) dhe ngatërrimi i fotografive të anetarëve të familjes.

Mund të përdorni ndihmën e mikut tuaj për të plotësuar aplikimin, por e rëndësishme që të jeni aty kur plotësohen  të dhënat tuaja dhe të mërrni numrin e konfirmimit që ta ruani atë. Në 7 maj mund të shihni në faqen e departamentit të shtetit nëse jeni përzgjedhur. Kur bëni aplikimin nuk vjen asnjë email, ndaj numrin e konfirmimit duhet ose ta printoni ose ta ruani. Ka rëndësi që të keni akses edhe tek adresa juaj e emailit, mund ta rigjineroni numrin e konfirmimit nëse e keni humbur por duhet të keni të vlefshme adresën tuaj të emailit. Ajo çfare përbën problem është ngatërrimi i fotografisë, ruajeni me emrat e gjithësecilit që të mos e ngatërroni pasi ky është një gabim që nuk lejohet

Lorenc Mansaku , specialist per vizat në Ambasadën amerikane 

Mansaku theksoi gjithashtu se pas plotësimit të aplikimit për lotarinë, nuk vjen asnjë email dhe mbi të gjitha nuk dërgohet asnjë email që të kërkon të kryesh ndonjë pagesë, por nëse kjo ndodh është një mashtrim, ndaj qytetarët duhet të jenë tepër të kujdesshëm.