Spektakël i pakursyer në Liverpool-Leeds, sot vihen përballë Mourinho kundër Ancelotti-t

13 Shtator 2020, 11:48

Edhe pse pa tifozë, Premier League nuk është treguar aspak e kursyer në javën e parë të sezonit të ri duke dhuruar spektakël pa limit. Protaginist nuk mund të ishte kush tjetër veçse Liverpool, kampionit në fuqi të Anglisë, që në ndeshjen e parë mposhti me vështirësi 4-3 debutuesit e Leeds.

Edhe pse kaluan tre herë në avantazh, ‘the reds’ e patën mjaft të vështirë për tre pikët. Kjo pasi Leeds barazoi në çdo rast duke ia bërë malore ekipit të drejtuar nga Jurgen Kloop. Gjithsesi për të nxjerrë ekipin me kokën lart nga Anfield mendoi i përhershmi Muhamed Salah, që në minutën e 88 realizoi golin e katërt për Liverpool dhe ‘tripletën’ personale.

Ndërkohë West Ham e nisi sezonin e ri me humbje pasi u mposht 0-2 nga Newcastle, Crystal Palace fitoi 1-0 kundër Southampton, ndërsa Arsenal nuk tregoi mëshirë ndaj Fulham, duke marrë tre pikët me rezultatin 0-3 në ndeshjen hapëse të kampionatit.

Sakaq sot pritet më shumë interes përballja mes Tottenham dhe Everton, pasi përballë do të jenë Mourinho kundër Ancelotti-t, por jo vetëm kaq. Everton është forcuar shumë në merkato dhe ky pritet të jetë sezoni i surprizave për ta.