Spiropali 'skanon' programin e Bashës: 'Alternativa për Zhvillim' ka zëvendësuar 'Republikën e Re' në kaptinën e të njëjtit dokument

1 Shkurt 2019, 17:16 | Përditesimi i fundit: 2019-02-01 17:25:24

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka adresuar një mesazh publik për qytetarët përmes një video në rrjetet sociale. Spiropali ka komentuar lëvizjet e fundit të Partisë Demokratike dhe prezantimin që po bën te qytetarët të një programi qeverie në hije. Detaji që nuk i ka shpëtuar ministres ka të bëjë me fletëpalosjet e shpërndara nga PD gjatë prezantimit të programit ditën e sotme. Sipas saj, janë identike me ato të "Republikës së Re" në 2017.

Mbi mbishkrimet e fletëpalosjeve të "Republikës së Re" po promovohet "Alternativa për Zhvillim" e lançuar ditën e sotme. Duke listuar me ironi arritjen e asaj që u quajt "Republika e Re" dy vite më parë, Spiropali shprehet se gjithçka bëhet për Bashën, familjen e tij dhe klientët e tij.

Mesazhi i plotë i Spiropalit:
Kjo fletëpalosje është njësoj si ajo e Republikës së Re, ku është hequr "Republika e Re" dhe është vendosur "Alternativa për Zhvillim". "Republika e Re" do të sillte çlirimin e ekonomisë dhe solli vetëm shkatërrimin e mëtejshëm të partisë. Republika e Re do të sillte punësim dhe kujdes për sipërmarrjen dhe solli vetëm ripunësimin e Lulzim Bashës kryetar partie pas humbjes dhe kujdes për partinë e ktheyr në sipërmarrje të kunatit. "Republika e Re" do ta kthente biznesin e vogël në gjenerator të ekonomisë kombëtare dhe e ktheu PD në gjenerator të ekonomisë familjare të kryetarit të vogël të partisë.

"Republika e Re" do të tërhiqte investime të huaja dhe tërhoqi vetëm agjencitë e huaja që hetojnë për paratë ruse të futura në ekonominë e lobeve të dyshimta amerikane për llogari të Lulzim Bashës. "Republika e Re" do të hiqte akcizën e naftës dhe hoqi nga partia themeluesit dhe solli të "peshkuarit në oazin" e kunatit. "Republika e Re" do të kishte arsimin si prioritet kombëtar, dhe ka sjellë si prioritet jokombëtar gjetjen e përgjigjes: A ka diplomë Lulzim Basha? 

Ndërkohë pyetja ime është: Po "Alternativa për Zhvillim" që ka zëvendësuar "Republikën e Re" në kaptinën e të njejtit dokument, çfarë mund të sjellë? Dhe përgjigjja e çdo njeriu të zakonshëm që e ndjek sadopak politikën është: Do të sjellë një humbje edhe më të thellë të PD dhe Lulzim Bashës në qershorin e ardhshëm krahasuar me dy qershorë më parë.