Spitali i burgut në QSUT shndërrohet në COVID, 18 të infektuarit në karantinë te 313-ta në monitorim nga mjekët

25 Prill 2020, 19:24

TIRANË-Vatra e të infektuarve me COVID në burgun 313-të në kryeqytet në 24 orët e fundit u zgjerua me 4 raste të reja duke e dërguar në total numrin e të prekurve nga ky institucion i vuajtjes së dënimit në 18. Ministria e Drejtësisë tha për Report Tv se të gjithë të infektuarit janë të vendosur në karantinë në një pjesë të veçantë te burgu 313-të nën monitorimin e mjekëve për ecurinë, por nuk dha detaje nëse janë të dënuar, paraburgosur apo staf. 18 të infektuarit janë, italiani, që ishte rasti i parë, 13 të tjerët që infektoi dhe 4 rastet e sotme.

Nëse do të kenë komplikacione, pacientët do të dërgohen në spitalin e burgut në QSUT që është kthyer në COVID. Report Tv mësoi sot se spitali i burgut është bërë gati për të pritur të prekurit që do të kenë komplikacione. Në spitalin e burgut janë 31 shtretër në total. Ndërkohë që sipas ISHP-së rastet që do të kenë nevojë për ndihmë më të specializuar trajtimi i tyre do të bëhet në spitalet COVID, pra te Infektivi ose Sanatoriumi. Në hyrje të spitalit të burgut që ndodhet në QSUT është vendosur një njoftim që me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-it njoftohen familjarët e të dënuarve, që takimet do të ndërpriten. Ata që do të futen do të ndjekin procedurat përkatëse.