Sponsorizimi i sportit favorizon biznesin e madh

22 Nëntor 2019, 16:22

Kompanitë e mëdha, me një xhiro vjetore të deklaruar prej më shumë se 100 milionë lekësh, mund të përfitojnë nga lehtësimi prej taksave, në rast se sponsorizojnë ekipe sportive.

Sipas një projektligji të depozituar në Kuvend, “Për personat juridikë, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë, shumat e sponsorizuara për veprimtaritë e ekipeve sportive, pjesë të federatave sportive të njohura, për efekt të përllogaritjes së tatimit mbi fitimin e periudhës tatimore, janë të zbritshme sa trefishi i vlerës së shumës së sponsorizuar”.

Në këtë mënyrë, në rast se një subjekt financon me 10 milionë lekë një ekip sportiv, ai do të shmangë nga taksat 3-fishin e kësaj shifre.  Pra, nuk do të paguajë tatimin prej 15 përqindësh për 30 milionë lekë.

Ky është një përjashtim i ri fiskal në favor të sporteve, por që njëkohësisht mund të konsiderohet si selektiv, duke qenë se lejon një gjë të tillë vetëm për kompanitë e mëdha.

Përjashtimi nga taksat ekziston në ligjin shqiptar edhe për veprimtari të tjera, si kultura, apo organizata të ndryshme, por mbulon vetëm sasinë e financuar nga subjektet në masën 100 për qind.

Ndërkohë, për sportin duket se bëhet një favorizim i dukshëm, duke qenë se shifra trefishohet.