Starton 'Botërori +' në Report Tv, risitë dhe të veçantat

14 Qershor 2018, 14:59

Ka startuar në “Report Tv” emisioni më i ri “Botërori +”, që do të shoqërojë gjatë gjithë Kupës së Botës “Russia 2018”. Një emision ndryshe nga të tjerët, ku përveç informacioneve më të fundit që Botërori, bëhen edhe analiza taktike dhe teknike të skuadrave dhe lojtarëve të veçantë.

Në orën 12:30 deri në 14:00, pak minuta para se të fillojë ndeshja e parë e ditës, nën drejtimin e Andi Kapxhiut, të ftuar të përhershëm do të jenë Andrea Marko dhe Eduard Prodani, njohës shumë të mirë të futbollit. Gjithashtu, për infot më të fundit, në studio do të jetë edhe gazetarja Valbona Mëhilli.

E ftuara e parë ishte Ina Zhupa, zëdhënësja e Partisë Demokratike. Ish-futbollisti i Dinamos dhe i Kombëtares shqiptare, Andrea Marko, specialist i njohur i futbollit, do të bëjë edhe parashikimet e ndeshjeve, duke u nisur nga kuotat e basteve sportive të kompanisë më të madhe në vend.

Gjatë emisionit të parë, pati edhe një lidhje direkte nga Moska, me arkitektin Mikel Osmanaj, i cili jeton dhe punon prej 20 vitesh atje. Ai përcolli atmosferën dhe emocionet e fundit nga Rusia.

Por nuk mbaron këtu “Botërori +”, pasi në orën 19:00, nën drejtimin e Denis Minga, emisioni do të vijojë deri në orën 20:00, pak minuta para ndeshjes së fundit të ditës. I ftuar i përhershëm do të jetë Dr. Albert Karriqi, që do të komentojë lëvizjet në fushë të lojtarëve dhe anën taktike të ekipeve.

    No videos found.