KORÇË- Në pazarin e vjetër të Korçës ende ruhen traditat e artizanatit të cilat mbartin vlera të çmuara. Në këtë dyqan ndodhet argjendari Stavri Lego, i cili çdo punim në ar apo argjend e realizon në mënyrë artizanale.
Ai është 61-vjeç ndërsa fillesat në këtë zanat i ka që në moshën 10-vjeçare, teksa shihte të atin se si realizonte me mjeshtëri punimet në ar dhe argjend.
Zanafilla e këtij profesioni është që në moshën 10-vjeçare. Më merrte babai me vete dhe gjatë ditës kur kisha pushim në shkollë. Gjatë pasdites vija në dyqan dhe mësova zanatin me babain. Vetëm nga mësimet e babait. Një mjeshtër siç ishte babai, me duar të arta ma mësoi dhe mua", tha argjendari Stavri Lego.
Prej 50 vitesh i lidhur me këtë profesion, ai nuk ka ndalur punën për asnjë moment. E vetmja gjë që e mban pas tavolinës së punës që nga mëngjesi deri në darkë është dashuria dhe pasioni.
"Po nuk pate pasion është e kotë që ta fillosh. Më thonë fëmijët e mi boll o baba. Këtu është gjëja. Po e mësove do e mësosh gjënë. Pasioni, zelli për punë, për zanatin. Çdo gjë varet në dëshirën e njeriut. Jo vetëm dita, por e tërë java. Nga e hëna në të hënë nuk ka pushim për mua. Nuk ka pushim se është dëshira për zanatin", tha zanatçiu.
Me veglat e babait që mbajti në duar që kur ishte ende fëmijë, Stavri vijon punën edhe sot duke ruajtur kështu edhe kujtimin e tij.
"Teknologjia ka shkuar përpara, por unë jam disponuar tek zanati i babait. Nuk mund të punoj me vegla të tjera. Këto që punoj unë janë mbi 70 vjet vegla. Nuk i kam ndarë asnjëherë dhe nuk kam për t’i ndarë deri sa të mbyll sytë. Këto e sjellin atë që duhet nxjerrë. Me këto kam jetë", tregoi argjendari.
