Strasburgu dënon me 15 mijë Euro Shqipërinë: Keqtrajtoi të burgosurin e sëmurë

21 Janar 2020, 14:24

Shqipëria u dënua sot të paguajë 15 mijë euro dëmshpërblim plus 2,500 euro kosto gjyqësore nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut për atë që gjykata e quajti trajtim çnjerëzor dhe degradues dhe heqje e paligjshme e lirisë për shtetasin Arben Strazimiri, 47 vjeç. Strazimiri është mbajtur me vendim gjyqi në mjekim të detyruar në spitalin e burgut në Tiranë në mungesë të një spitali të posaçëm për trajtimin e personave të sëmurë mendërisht.

Gjykata deklaroi se ka gjetur një shkelje të nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor apo degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të kushteve të papërshtatshme të jetesës në spitalin e burgut ku Strazimiri është mbajtur i ndaluar nën kujdes të pamjaftueshëm psikiatrik. Po ashtu, është konstatuar edhe shkelje e nenit 5 (e drejta për liri dhe siguri/e drejta për të ndalim të ligjshëm të vendosur shpejt nga një gjykatë). Kjo e fundit, për shkak të heqjes së vazhdueshme të lirisë së tij në një burg dhe jo në një institucion mjekësor, duke qenë se apeli i tij ndaj masës së ndalimit ka mbetur në pritje në Gjykatën e Lartë që nga viti 2016.