TIRANË-Partia Demokratike vijon akuzat në drejtim të Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste. Gent Strazimiri, deputet i PD, në një konferencë për mediat paraditen e kësaj të shtune, ka thënë se pamjet e kamerave në komisariatin e Fushë-Krujës nuk bëhen publike, pasi sipas tij, në pamje shihet prania e Taulant Ballës, në momentin kur është kërcënuar me armë, nënkomisari Emiljano Nuhu. Strazimiri ka përdorur fjalët e Ramës kur tha se “nuk do t’i ndahemi këmba-këmbës këtij horri”.
Deklarata e plotë e Gent Strazimiri
Prej 11 ditësh, pengun e krimit, Edi Rama e ka bërë memec pyetja se çfarë tregojnë 8 kamerat e Stacionit të Policisë së Fushë Krujës ditën e 21 Korrikut, kur denoncohet prania e Taulant Ballës në kërcënimin me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut.
GENT STRAZIMIRI, DEPUTET I PARTISË DEMOKRATIKE
Edi Rama vazhdon të heshtë, sepse nuk guxon të thotë të vërtetën e pranisë së Taulant Ballës, Artur Bushit dhe Rrahman Rrajës në Policinë e Fushë Krujës më 21 Korrik.
Në praninë e tyre, nënkomisar Emiljano Nuhu dëshmoi se u kërcënua me pistoletë në kokë brenda Stacionit të Policisë së Fushë Krujës, që të ndalte përballjen me ligjin të djalit përdhunues të deputetit të Edi Ramës.
Për të mbrojtur anëtarët politikë të bandës së Fushë Krujës, Edi Rama mashtroi publikisht, kur deklaroi se skandali u publikua fillimisht “nga vetë Taulant Balla” e jo nga intervista/denoncim e policit Emiljano Nuhu, të “ndjekur këmba-këmbës” nga banda.