Reperi Arkimed Lushaj ose Stresi ka dalë në mbrojtje të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas kërkesave brenda partisë për shkarkimin e tij.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Instagram, ai shkruan se demokratët ose “ndyrësirat dhe plehrat” siç i quan Stresi, të cilët kërkojnë shkarkimin e Bashës, duhet të harrojnë një gjet të tillë.
Ai shton se nuk të dorëzohen nga kauza, pasi ky është amaneti i ish-kreut të PD, Sali Berisha.
Stresi postimin mbështetës ndaj kryetarit të PD, e ka shoqëruar edhe me një video në të cilën shfaqet duke u përqafuar me Bashën.
Videoja është e shkëputur nga momentet kur për tre muaj me radhë demokratët në 2017 kanë qëndruar në sheshin përpara kryeministrisë duke kërkuar largimin e qeverisë.
Pas humbjes së thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare, shumë nga figurat politike brenda partisë kanë kërkuar dorëheqjen e Bashës, duke e konsideruar fajtor.
Ndër të parët të cilët kanë kërkuar shkarkimin e Bashës ka qenë anëtari i Kryesisë, Fatbardh Kadilli, më pas ish-presidenti Bujar Nishani, ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Edvin Kulluri dhe shumë të tjerë.
Përpara selisë blu për të dytën ditë radhazi, një grup demokratësh të zhgënjyer kanë kërkuar me ngulm largimin e tij.
Partia Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit ka arritur të sigurojë 59 mandate.