'Stresi nga COVID-19 rrit aksidentet rrugore', 50 të vdekur për 70 ditë në rrugët e vendit! Policia: Drejtuesit e mjeteve po sillen çuditshëm

11 Mars 2021, 16:13 | Përditesimi i fundit: 2021-03-11 16:16:33

Aksidentet me pasoja fatale për jetën kanë pasur një rritje të ndjeshme që prej datës 1 janar të këtij viti. Përplasjet me pasojë vdekjen nuk kanë munguar në të gjithë territorin e vendit, ndërsa burime nga Policia e Shtetit kanë konfirmuar se si shkak kryesor vijojnë të jenë sjelljet njerëzore.

50 të vdekur në aksidentet rrugore që nga fillimi i janarit nuk janë pasojë vetëm e shkaqeve të zakonshme që njohim deri tani, shpejtësia apo alkooli. Ekspertët po vlerësojnë se stresi nga pandemia po dominon pasojat në timon. Vetëm në 11 ditët e fundit janë 12 viktima.

Ka një sjellje të çuditshme të drejtuesve të mjeteve, aq sa konfrontohen me punonjësit e policisë, nuk i mirëkuptojnë kur u thonë për masat administrative për shkeljen e kryer. Nuk e kuptojnë veprimin që bëjnë, ndoshta duhet parë edhe pandemia ku ndodhemi mund të ketë ndikim për sjelljet në rrugë. Sjelljet janë skandaloze, dhe këto veprime ne na çojnë në rritje të ngjarjeve rrugore.” - thotë Skënder Ismaili.

Nisur nga kjo situatë, Ismaili thotë se Policia Rrugore ka shtuar masat parandaluese. Megjithatë, nuk ka pasur toleranca lidhur me shkakun e stresit të pandemisë, dhe ndëshkimet për autorët kanë qenë të larta, nga gjobat tek arrestimet.

“Kohët e fundit në kemi aplikuar si masë dhe mendojmë që do të japë efektet e duhura, duke futur shërbimet civile. Shërbimet civile janë punonjës policie me uniformë, por me mjete të paloguara, por që janë mjete të Policisë së Shtetit, dhe qytetarët duhet ta kenë të qartë që në çdo rast edhe mund të mos ndalohen nga shërbimet policore, por nëse kanë bërë shkelje fleta e masës administrative do t’u vij në shtëpi.” – thekson Ismaili.

Qarkullimi pa leje drejtimi dhe nën efektin e alkoolit renditen këtë periudhë shkaqet që gjithashtu kanë ndikuar në rritjen e shifrave.