Studentët në ditën e 7 të protestës

10 Dhjetor 2018, 22:47

Studentët kanë dalë sot sërish në protestë për të shtatën ditë radhazi. Ata u mblodhën përpara Fakulteteve përkatëse dhe më pas marshuan drejt godinës së Ministrisë së Arsimit.

Studentët kanë refuzuar ftesën e dytë të Kryeministrit Edi Rama për dialog, dhe thonë se nuk do të ketë asnjë negociatë por kërkojnë që të pranohen 8 kërkesat e tyre, duke filluar me ulje të tarifave të studimit.

Studentët vazhdimisht bëjnë thirrje që protesta e tyre nuk është politike dhe kërkojnë që në mesin e tyre mos të futen partitë. Ata i kanë lënë afat Ministrisë së Arsimit deri ditën e martë në orën 14:00 që të pranojë të gjithë listën e tyre me 8 kërkesa, në të kundërt kanë deklaruar se do të vazhdojnë protestat, duke lënë të hapur edhe mundësinë e grevës së urisë. Ditën e nesërme është paralajmëruar se në Tiranë do të mbërrijnë edhe studentët e Universiteteve të rretheve.

as më shumë se 7 orësh përballë Ministrisë së Arsimit, në ditën e shtatë të protestës, studentët u shpërndanë, duke paralajëmruar, se nesër do të jenë sërish aty, madje duke e përshkallëzuar protestën e tyre ndaj qeverisë. Ata njoftuan se nesër do t'u bashkohen edhe studentët e universiiteve të rretheve.

Në ditën e shtatë të protestave të studentëve dhe pas refuzimit të vazhdueshëm për t'u ulur në tryezë e përbashkët, kryeministri Edi Rama ka tentuar sot të hapë një kanal komunikimi me protestuesit nëpërmjet "Facebook".

Në një dialog virtual, që ka vazhduar për dy orë dhe që ka mbledhur 7.000 komente, Rama ka bërë disa propozime konkrete, duke tejkaluar në disa raste edhe vetë kërkesat e studentëve. Ai u tregua i gatshëm për të financuar me buxhetin e shtetit jo vetëm uljen me 50% të tarifave, por edhe arsimin falas për studentë ekselentë dhe të varfër; ofroi 1000 vende pune në administrata për studentët më të mirë; u tregua i gatshëm për të boshatisur bordet e universiteteve nga anëtarët e qeverisë dhe për të shtuar investimet në konvikte.

Por si kusht të vetëm, kryeministri kërkoi që gjithë këto lehtësira që plotësojnë pjesën më të madhe të 8 kërkesave të paraqitura gjatë protestës, të diskutohen në një tryezë bashkë me studentët. Rama akuzoi opozitën se duke bllokuar dialogun e drejtpërdrejtë midis tij dhe studentëve, po përpiqet të përfitojë politikisht nga protesta. Më tej, Rama tha se priste që studentët protestues të dënonin sjelljen fyerëse ndaj Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

    No videos found.