Studimi danez/ Sulmuesi roli më i rrezikuar nga COVID-i në një ndeshje futbolli

19 Maj 2020, 14:25

Roli apo pozicioni në fushën e futbollit që është më shumë i rrezikuar nga COVID-19 është ai i sulmuesit. Diçka të tillë e thotë një studim i Universitetit të Aarhus në Danimarkë që bazohet në lëvizjen e futbollistëve pas analizës  që i ka bërë 14 ndeshjeve në kampionatin vendas të futbollit. Studimi funksionon në këtë mënyrë që kërkuesit stimulojnë praninë e një lojtari të infektuar dhe më pas analizojnë se kur dhe për sa kohë futbollistët e tjerë ndodhen brenda distancës prej 1.5 metrash nga ky futbollist që është edhe distanca e sigurisë ndaj koronavirusit.

Ky studim i autoriteteve daneze tregon se gjatë një ndeshje lojtarët qëndrojnë brenda hapësirës së distancës së sigurisë mes zero dhe 657 sekondave pra diçka më pak se 11 minuta dhe mesatarja është një minutë e 28 sekonda për çdo futbollist. Por analizat e 15 mijë e 750  rasteve të studiuara tregojnë diferencën e madhe mes roleve në fushë dhe profesori Thomas Andersen ka shpjeguar se në mesatare është sulmuesi ai që ekspozohet për rreth 2 minuta krahasuar me një minutë e gjysmë që është mesatarja. Pra roli i sulmuesit është rreth 30 sekonda më shumë i ekspozuar në rrezen e rrezikut.