Studimi ‘Filmat e ish-Kinostudios, propagandë apo pasuri kombëtare?!’, 82 filma problematikë shfaqen ende në ekrane!

30 Korrik 2020, 16:02

Pas diskutimeve, që u bënë gjatë vitit 2017 mbi prodhimet kinematografike të ish-Kinostudios “Shqipëria e re”, Erblin Vukaj boton studimin  “Filmat e komunizmit propagandë apo pasuri kombëtare?!”.  Autori sjell intervista me kineastë, analizon të drejtat e autorit të filmave, mënyrën e transmetimit të tyre në televizione, duke shtruar edhe shembujt konkretë, se si vende të tjera ish-komuniste kanë  operuar. 

“Në fakt studimin e kemi parë si një lloj përmbledhje të asaj, që u bë në vitin 2017. Kemi ndalur tek të gjithë zërat, pro edhe kundër rishikimit të mënyrës së filmave të ish- Kinostudios “Shqipëria e re”, po dhe i kemi shtuar këndvështrimin e kuadrit ligjor, që e mundëson transmetimin, debatit që ka qenë që prej viteve ‘90, për mënyrën se si do të menaxhohej pasuria e ish- Kinostudios, edhe në një farë mënyre se si mund të lejohej edhe transmetimi. Kemi sjell në vëmendje dhe problematikën që shfaq mënyra e transmetimit, pa një kontekst për propagandën apo një lloj filtri përzgjedhës të filmave apo të gjithë asaj prodhimtarie, krahas kësaj dhe një lloj rekomandimi se kush mund të ishte zgjidhja për situatën”, shprehet Vukaj.