Bashkimi i Çomos dhe Bozos me PS, habit Ndoka: I kujtojnë shqiptarëve tërmetin e pandeminë

5 Mars 2021, 18:18 | Përditesimi i fundit: 2021-03-05 18:43:07

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka e ka cilësuar kandidimin nën siglën e PS të Nadaja Çomos dhe Luljeta Bozos si përdorim i figurave të tyre nga kryeministri Edi Rama. Në një intervistë për ‘Studio Live” në Report Tv, Ndoka tha një alibi të çuditshme pse Çomo dhe Bozo nuk duhet të ishin në politikë, pasi sipas tij ata do i kujtojnë popullit pandeminë dhe tërmetin tragjik, duke u kujtuar humbjet e shkaktuara prej tyre. (Nadaja Çomo dhe Luljeta Bozos janë dy personazhe simbol të luftës ndaj pandemisë dhe rindërtimit pas tërmeti duke u kthyer shpresën shqiptarëve)

“Pa folur për zonjat që fusin një gjak të ri në PS, unë shoh një keqpërdorje të Ramës, pa u marr me dy zonjat e nderuara. Rama ka thënë se tërmeti dhe pandemia vijnë njëherë në 100 vite dhe fut në parlament dy simbole që iu kujtojnë shqiptarëve pikërisht këto dy ngjarje të trishta. Me qindra familje që kanë humbur jetën nga COVID dhe mungesa e shërbimeve dhe kjo është një kosto morale e polikë për vetë Çomon, po ashtu edhe inxhinierja e nderuar e tërmetit, na kujton jo këshillat e saj por dështimin e shtetit që nuk kishte mjete për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat”, tha Ndoka.