Sulm amerikan në aeroportin e Bagdadit, vritet gjenerali iranian dhe shtatë të tjerë, lufta në prag

3 Janar 2020, 10:42

Rreth mesnatës, disa raketa amerikane shkatërruan një autokolonë makinash të Forcave Popullore të Irakut, të cilat po shoqëronin në dalje të  aeroportit komandantin e Trupave Revolucionare të Teheranit, gjeneralin Qassim Soleimani, figura më e rëndësishme ushtarake e Republikës Islamike, një tjetër drejtues të ushtrisë iraniane, Abu Mahdi Al-Muhandis njeriu që më 30 dhjetor nxiti turmat për të sulmuar Ambasadën Amerikane në Bagdad si dhe 7 të tjerë. Blitz-i i forcave amerikane vjen pas paralajmërimit të  ministrit të mbrojtjes, Esper, pas disa ditësh demonstrimesh dhe akteve guerile para ambasadës amerikane të cilat ishin rrjedhojë e bombardimit të milicive shiite ku gjetën vdekjen 25 prej tyre.Sipas rindërtimit fillestar të ngjarjes, sulmi u krye kur Soleimani dhe bashkëpunëtori i tij, Mohamed Ridha, sapo kishin zbritur në tokë dhe po hynin në njërën nga dy makinat që i prisnin. Vrasja e Soleimani rrezikon të ketë pasoja të thella në marrëdhëniet e tensionuara midis Uashingtonit dhe Teheranit, në Lindjen e Mesme por edhe në Shtetet e Bashkuara. Irani zyrtar tha se SHBA dhe Izraeli ishin përgjegjës për aktin e asaj që ata e quajtën terrorizëm ndërkombëtar dhe premtuan reagime, ndërsa tregjet e naftës në Lindjen e Largët kanë shënuar rritje të mprehta të çmimit të naftës.

Dy ditë më parë Pentagoni tha se 4,000 parashutistë janë gati për tu ulur në Kuvajt. Dërgimi i trupave shtesë në Lindjen e Mesme erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se Irani do të "paguajë një çmim shumë të madh" për sulmin ndaj ambasadës amerikane në Bagdad. Brigada e Divizionit të 82-të të Ushtrisë Ajrore të Ushtrisë amerikane u urdhërua për t'u vendosur me shpejtësi në Kuvajt për tju shtuar 750 të tjerëve që ishin duke shkuar.

“Të paktën 750 paratrupa janë tashmë duke shkuar në Lindjen e Mesme, konfirmoi Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper duke thënë se forcat shtesë janë të gatshme për t'u vendosur brenda disa ditëve. Kjo vendosje është një veprim i duhur dhe parandalues ​​i ndërmarrë si përgjigje e niveleve të rritura të kërcënimit ndaj personelit dhe objekteve amerikane”, - tha Esper. Një total prej 4,000 ushtarësh nga Brigada e 82-të janë njoftuar se do mbërrijnë brenda 24 orëve të ardhshme.

Pak muaj më parë në tetor të vitit të kaluar në Shqipëri u parandalua një sulm terrorist iranian kundër opozitës së këtij vendi (MEK) të strehuar në vendin tonë. Sulmi ishte planifikuar të kryhej nga disa persona të cilët ishin trajnuar dhe ishin pjesë e forcave iraniane QUDS, komandanti i të cilëve u ekzekutua.