Sulmi ndaj policisë në Elbasan, Shefi i antidrogës: Në makinë nuk ishte Suel Çela

18 Prill 2019, 16:56

Shefi i narkotikëve në Policinë e Elbasanit, Ylli Bici i pranishëm në vitin 2017 kur u godit automjeti i zv.drejtorit Gjergji Oshafi tek tregu në Elbasan, deklaroi në gjykatë se shoferi i Audit që u fut me shpejtësi në treg nuk ishte as Suel Cela as vëllai i tij Mario.

“Njoh Suelin dhe vëllain e tij, po të ishin ata në makinë, do i kisha njohur. Nuk arritëm të futemi në treg pasi dera u mbull shpejt, ndërsa unë isha pa armë gjatë shërbimit dhe u kapëm të papërgatitur”, dëshmoi Bici.

Ky deklarim i tij u shoqërua me replika me prokurorin Behar Dibra i cili disa herë i kërkoi shpjegim përse asnjë nga policët nuk tentoi të futej në treg për aq kohë sa dera qëndroi e hapur.

Për të dëshmuar u thirrën edhe disa efektivw të tjerë policie që mohuan të kishin identifikuar Suel Celën atë mbrëmje dhe në të shumtën e pyetjeve të bëra nga prokuroria nuk mbanin mend detaje.

Në listën e personave të thirrur për deklarime nga prokurori Behar Dibra ra në sy mungesa e ish-numrit dy të policisë sw Elbasanit Gjergji Oshafi.

Në atë kohë policia e Elbasanit kishte informacion për një grup të rrezikshëm që po lëvizte në qytet prandaj organizoi kontrolle. Pikërisht para tregut Agro-Ushqimor Policia ndaloi një Range-Rover ku brenda tij ishin Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri. Uniformat blu të Elbasanit i arrestuan dy të rinjtë për shkak se kundërshtuan punonjësit.

Por në momentin që policët po largoheshin, një Audi i blinduar vjen drejt makinave të uniformave blu dhe në këtë moment përplasen me njëra-tjetrën. Sipas Prokurorisë Policia ishte në aksion dhe Audi ka goditur me qëllim makinën e Gjergji Oshafit.

Për përplasjen e automejtit të Oshafit dhe akuzën e tentativës së vrasjes së punonjësve të policisë krimet kanë të dyshuar Suel Celën, Klemend Xhaferri dhe Enea Bekteshin.

Në kërkim për policinë mbetet Suela Cela ndërsa Enea Bekteshi dhe Klemend Xhaferri nuk ishin të pranishëm në seancë dhe u përfaqësuan nga avokati Genci Gjokutaj.

Enea Bekteshi sot ndodhet në arrest shtëpie, Kelemend Xhaferri në burg, ndërsa Suel Çela është në kërkim pasi Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën “arrest me burg” në mungesë.