Sulmi terrorist në Vjenë/ Mes 4 viktimave një 20-vjeçar shqiptar nga Struga, me origjinë shqiptare edhe autori, i dënuar më parë për terrorizëm

3 Nëntor 2020, 21:36

Shkon në 4 numri i të vdekurve (shifra jo zyrtare) nga sulmi terrorist që ka ndodhur dje në zonën e Schwedenplatz në Vjenë. 

Ndërkaq të paktën 15 të tjerë janë plagosur, kurse numri i autorëve të sulmit dyshohet të jetë 12. Policia e Vjenës njofton se fillimisht të shtënat u raportuan pranë një sinagoge (institucioni fetar ku predikojnë hebrenjtë) në orën 20:00.

Fillimisht një prej autorëve hodhi veten në erë ndërsa një tjetër u ekzekutua nga policia. Policia thotë se autori i cili kishte një eksploziv të rremë, dyshohet se kishte motive islamike teksa Ministri i Brendshëm, Karl Nehammer deklaroi se ai ishte i radikalizuar dhe dyshohet si simpatizant i ISIS-it.

 Vetëm pak orë pas sulmit në vend, forcat speciale të Vjenës kanë bërë të mundur arrestimin e 4 autorëve të tjerë të dyshuar. Të gjithë ata ishin të pajisur me armë të ndryshme si kallashnikovë dhe pistoleta. Një prej autorëve të sulmit, ka ekzekutuar një qytetar në mes të rrugës ku fillimisht e qëlloi me kallashnikov.

Ai nuk ka ndërruar jetë menjëherë ndaj është ngritur në këmbë, por autori u kthye sërish dhe e ekzekutoi atë me pistoletë.

Një nga autoret, raportohet të jetë Kujtim Fejzullahi, i cili është me origjinë shqiptare nga Maqedonia dhe se ka qenë i dënuar për terrorizëm në vitin 2019. Po ashtu edhe një nga viktimat është një shtetas shqiptar nga Struga, Nexhip Vrenezi, 20 vjeç.