Super-grabitja në Rinas/ Policia gjen para të tjera në banesat e dy prej të arrestuarve, Prokuroria do të marrë ADN-në e Oltion Veselit

19 Nëntor 2019, 16:15

Shtatë muaj pas grabitjes së miliona eurove brenda pistës së aeroportit të Rinasit, policia ka vijuar sërish kontrollet në banesat e të arrestuarve, në sajë të hetimeve, si dhe për gjetjen e parave të grabitura.

Më herët, një shumë parash është mundur të gjendet në banesën e Elton Piklit dhe në banesën e të arrestuarit tjetër, Renaldo Sulës. Sipas burimeve, paratë e sekuestruara dyshohet të jenë ato të grabitura në 9 Prill të këtij viti. Të arrestuarit kanë mohuar të jenë autorë të supergrabitjes, ndërsa në seancën e sotme pritej që Prokuroria t’i kërkonte Gjykatës kryerjen e analizave të ADN për të vërtetuar nëse përputheshin shenjat e gishtërinjve të të arrestuarve me gjurmët e gjetura në paratë e bllokuara. Seanca e sotme u shty për shkak të mungesës së avokatëve të dy të arrestuarve. Po ashtu, këtë të martë pritej që Gjykata e Krimeve të Rënda të vendoste mbi kërkesën e të arrestuarve Oltion Veseli, Renaldo Sula dhe Elton Pikli, të cilët nuk kanë qenë dakord me zgjatjen e afatit të hetimit edhe me tre muaj të tjerë. Ndërkohë, për llogari të hetimeve të kësaj dosjeje, më herët gjykata ka lejuar organin e akuzës të marrë një profil gjenetik Oltion Veseli, për analiza ADN-je, pasi më herët ai nuk ka pranuar të japë mostër pështyme, me pretendimin se i është marrë një e tillë në polici menjëherë pas arrestimit.

Deri më tani, të arrestuar për super grabitjen e rreth 6 milionë eurove janë 7 persona, Ragio Hajdini i cilësuari si daja nga Kosova, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltion Veseli, Saimir Çela, Alkond Bengasi dhe Hasan Kanaçi  ndërsa i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit me policinë ditën e ngjarjes mbeti organizatori i grabitjes Admir Murataj. Në kërkim vijojnë të jenë dy vëllezërit Klemend e Eldi çala si dhe bashkëpunëtori i tyre Talo Çela.

Deri më tani janë sekuestruar 300 mijë euro, nga të cilat 100 mijë euro u gjetën në banesën e agjentit të cargos në Aeroportin "Nënë Tereza", Hasan Kanaçi, të konvertuara në kartëmonedha të ndryshme.