Superliga pa pushim/ Të mërkurën dy supersfida, Partizani udhëton në Fier! Çinari: Apolonia e lehtë vetëm në letër

1 Mars 2021, 15:20

Superliga ka hyrë në një fazë deçizive ku çdo javë përcakton shumë për objektivat. Pas ndeshjeve të ditës së shtunën ajo rikthehet të mërkurën me javën e 22 ku sikasin ndeshjet mes Kukësit dhe Laçit, por edhe Teuta-Vllaznia.

Kukësi të premten u nda në barazim me Teutën dhe nuk ka asnjë mundësi shpërdorimi ndaj Laçit, me qëllim kualifikimin në Kupat e Europës, por nga ana tjetër Laçi që barazoi me Partizanin dhe mban vendin e tretë, synon titullin kampion.

Përballja tjetër mes Teutës dhe Vllaznisë është një test i rëndësishëm për shkodranët kryesues me tre pikë më shumë se Partizani, që javët e fundit kanë humbur shumë terren. Vllaznia duhet të fitojë me patjetër, por edhe durrsakët kanë pretendimet e tyre për titullin, në një kohë kur llogaritë i mbajnë bindshëm në lojë.

Sakaq Partizani pas ndalesës me Laçin të mërkurën udhëton në Fier për t’u përballur me Apoloninë e cila kërkon të mbijetojë. Të kuqtë duket të inatosur dhe sipas Erald Çinarit duhet fituar me patjetër pavarësisht se Apolonia është një ekip i lehtë vetëm në letër.

“Apolonia është një kundërshtar i lehtë vetëm në letër dhe ne duhet të japim maksimumin. Duhet të marrim tre pikët me patjetër në këtë ndeshje,”-shprehet Çinari.

Tirana pas fitores me Vllazninë synon vazhdimësinë edhe me Bylisin. Fitorja është opsioni i vetëm në një kohë kur objektivat minimale janë kupat e Europës. Ndeshja tjetër është ajo mes Skënderbeut dhe Kastriotit në Korçë.