Surprizat në natën e dytë të magjishme të Festivalit të 11 të Këngës, risjellë në Bunk'Art

10 Dhjetor 2019, 15:45

Pas një nate plot emocion që riktheu pas 47 vjetësh në djepin e memories së diktaturës Festivalin e 11 të Këngës, ngjitet sonte në Bunk'Art nata e dytë e këtij festivali.

Provat kanë filluar e bashkë me to, edhe rrëqethjet e trupit nga zëra, të cilët as 47 vite nuk mundën t’i zbehnin dot vlerat.

E njëjta skenografi, por në krah të Bujar Kapexhiut, një këngëtare e re, që përngjan aq e fisshme sa prezantuesja e 47 viteve më parë të këtij festivali. Marsela Çibukaj rrëfen eksperiencën e saj si prezantuese e Festivalit të 11 të këngës, në vitin 2019, në Bunk'Art.

“Është shumë emocionuese sepse nga ato pak dokumente filmike që kemi nga ai festival, kam fiksuar disa nga protagonistët dhe njëri nga ato është edhe Bujar Kapexhiu, profesori. Jam e nderuar, bujari është nder kombi ka   peshe prezenca e tij, të ndash këtë eksperiencë me të 47 vite më vonë është me të vërtetë kënaqësi dhe emocion i jashtëzakonshëm"

Në zërin që rrallë ndodh t’i dridhet nga emocionet, dallohet qartë përgjegjësia që ajo mban në supe, si zëvendësuese e një zonje si Edi Luarasi.

“Është një event shumë i bukur ky sepse na sjell në kujtesë këngët që shumë prej publikut  iu deshën ti harronin, por që për bukurinë e kompozimit të vargjeve që kanë pasur janë të paharrueshme dhe ia vlen që të jenë përsëri sonte. Të marrësh vendin e Edit është e pazëvendësueshme, por unë mundohem të qëndroj atij skenari të thjeshtë të festivalit të 11”, thotë Marsela.

Në natën e dytë të festivalit të 11 të këngës rikthehet Bashkim Alibali, një zë që I dha shumë muzikës shqiptare, e që as sfidat e as vitet nuk e larguan dot nga muzika. Në skenë po ashtu do të ngjiten emra të  këngëtarëve të rinj  si Denisa Gjezo e Tiri Gjoci dhe artistë si Olen Cesar, si për të thënë se kufijtë e artit janë tashmë të padukshëm.