Suzana Varvarica Kuka: Nga Shkodra në Milano në gjurmët e Simon Rrotës

8 Prill 2020, 12:34

......Ishte ai që theu akullin dhe çeli rrugët e reja në artet pamore.

Simon Rrota është një nga mjeshtrit e penelit, i lënë padrejtësisht në harresë.

Por do të vinte një ditë, që Simon Rrotën do ta rikthente në një libër, sikur të ishte përpara syve tanë, studiuesja dhe kritikja e njohur e artit Suzana Varvarica Kuka.

Për 18 vjet rresht, Suzana Varvarica  i është dedikuar mjeshtrit të pikturës shqiptare, për t’ia ofruar botës akademike dhe publikut me një profil të plotë në librin monografik “Simon Rota”, ku hedh dritë në veprën e njërit prej personaliteteve të rëndësishme të artit shqiptar, gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.

Pasi na prezanton me edukimin artistik dhe jetën e Simon Rrotës nga Shkodra në Milano, autorja e studimit “Simon  Rrota”,  përmes kërkimeve dedikuar mjeshtrit që ajo e quan “piktori i nostalgjisë së një realiteti të humbur”,  shpalos histori të panjohura, vlerat piktorike në gjini të ndryshme, ndjenjat patriotike, frymën prej rilindësi, që ishte edhe shtrati emocional i artit të tij.

Duke folur për punën me librin “Simon Rrota”, studiuesja Suzana Varvarica Kuka dëshmon ndër të tjera se veprat dhe dokumentacionet e  kategorive të ndryshme, që lidhen me krijimtarinë artistike dhe jetën e piktorit shkodran, kanë pasur fatin të mbijetojnë falë dashamirësisë së koleksionistëve të familjes Rrota dhe Shuli, si koleksionistëve Dashi dhe Çobo, po ashtu edhe nga galeritë kombëtare e shtetërore artistike.