Syri i Kaltër jepet 10 vite me qira

30 Tetor 2019, 21:19 | Përditesimi i fundit: 2019-10-30 23:03:07

Ministria e Financave ka vendosur të japë me qira për 10 vite një nga pasuritë e mëdha natyrore, Syri i Kaltër. Shoqëria që do të administrojë Syrin e Kaltër do ti paguaj shtetit një vlerë monetare prej 72 500 lekë në muaj. Njoftimi është bërë i ditur nga Ministria e Financave e cila argumenton se dhënia me qira bëhet me qëllim dhënien në përdorim të saj për ushtrimin e një veprimtarie ekonomike e cila të gjenerojë të ardhura dhe punësimin e banorëve të zonës.

Aktualisht zona që do të jepet me qira është nën menaxhimin e kompanisë “Albturist T.O” sha dhe ka një sipërfaqe prej 470 metra katrorë, nga të cilat 220 metra katrorë janë objekt dhe 250 metra katrorë sipërfaqe funksionale, me vendndodhje në Syrin e Kaltër. Shoqëria e lartpërmendur ka përcaktuar edhe disa kritere për të gjithë pjesëmarrësit në garë. Kompania kërkon që zona mund të jepet me qira vetëm nëse ruhet destinacioni i tij fillestar që është ushtrimi i veprimtarisë turistike në fushën e akomodimit ekonomik. Po ashtu fituesi i qirasë po ashtu do të marrë përsipër të gjitha detyrimet që rëndojnë mbi pronën.Po ashtu në njoftimin e ministrisë janë përcaktuar edhe kriteret që duhet të plotësojnë të gjitha shoqëritë garuese. Konkurrimi sipas njoftimit zyrtar është hapur sot në Ministrinë e Financave. Vendimi për dhënien me qira të këtij destinacioni turistik vjen pak javë pas reagimit të ministrit të Turizmit Blendi Klosi i cili e cilësoi një gangrenë të turizmit shqiptar, dhe paralajmëroi projekt të ri për investimin e plotë të Syrit të Kaltër.