TIRANË- Partia Demokratike ka premtuar se nëse do të vij në pushtet do të ulë taksat dhe do të heqë burokracitë, për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve. Duke akuzuar kreun e qeverisë, Edi Rama, se nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se ka rritur taksat dhe tarifat shtesë, ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku shprehet se me PD-në në pushtet kjo situatë do të ndryshojë.
"Shqiptarët paguajnë taksa më shumë se rajoni dhe kanë korrupsionin më të lartë në rajon. Kosto e korrupsionit sot po lë pa punë shqiptarët, po bjerr buxhetin e shtetit, po lë vendin pa rrugë shkolla e spitale, korrupsioni po gërryen ekonominë, po largon shqiptarët. Taksat e ulëta, heqja e burokracive të parëndësishme, zbatimi ligjit dhe beteja për lirinë e tregut janë hapat që do shpëtojnë shqiptarët nga sëmundja e korrupsionit. Këto janë hapat që PD dhe opozita do ndërmarrë ditën e parë në pushtet", tha Tabaku.
Ajo publikuar shifra dhe një skemë sipas së cilët shërben për të kuptuar se si abuzohen paratë e shqiptarëve dhe ku shkojnë taksat që ata paguajnë.
"Përvit shqiptarët janë përballur me taksa dhe tarifa shtesë. Abuzimi I qeverisë me taksat e shqiptarëve rritet përvit e më shumë, në gjashte vjet ai ka arritur shifrën e 5.9 mld euro. Janë mesatarisht 1.2 mld euro në vit abuzime që shkaktojnë dëm ekonomik sipas KLSH.
Sakaq, tenderat zënë 1/3 e dëmit ekonomik, 1.7 mld euro është vlera totale e dëmit të shkaktuar nga to. 1 në 3 tendera jepen pa garë ndërsa vendi është kthyer në epiqendrën e korrupsionit sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare", përfundoi ish-deputetja demokrate.