Tabelat me taksat e reja për pagat, ja sa do t'u mbajë shteti punonjësve dhe bizneseve

6 Janar 2019, 11:21

Ndryshimet më të fundit të rregullave mbi taksat, të përfshira në Paketën Fiskale 2019, kanë hyrë tashmë në fuqi nga 1 janari. Ndër to, ai çka u intereson më shumë pjesës më të madhe të të punësuarve dhe bizneseve është ndryshimi në rregullat e taksimit të pagave. Kjo, pasi, ndërkohë, me një Vendim të Këshillit të Ministrave, ka ndryshuar në rritje edhe paga minimale. Nga data 1 janar 2019, paga minimale është bërë 26.000 lekë. Deri tani ishte 24.000 lekë në muaj. Por kjo shoqërohet automatikisht edhe me rritjen e pagës maksimale. Kjo rritje ndikon në të ardhurat neto, por edhe në pagesat e sigurimeve shoqërore.

Pagat

Tatimet kanë sqaruar se paga maksimale pёr efekt tё kontributeve shoqёrore indeksohet nё tё njёjtёn kohё dhe nё atё masё qё indeksohet edhe paga minimale nё shkallё vendi. Paga minimale është rritur me rreth 8.3% (nga 24.000 në 26.000 lekë), kjo nënkupton që edhe paga maksimale rritet me rreth 8.3%, duke shkuar në 114.670 lekë, nga 105.850 lekë që ishte më parë, me një rritje prej 8.820 lekësh.

Tatimet sqarojnë se paga bruto mujore, që njihet nga shteti pёr efekt tё llogaritjes sё kontributeve tё sigurimeve shoqёrore, do tё jetё si mё poshtё vijon: Jo mё pak se sa paga minimale mujore, e barabartё me 26.000 lekё dhe deri nё 114.670 lekё, pёr personat e punёsuar. Jo mё pak sesa paga minimale mujore, e barabartё me 26.000 lekё dhe sipas pёrcaktimit tё vetё personit, deri nё 114.670 lekё, pёr personat e vetёpunёsuar. Ajo do të jetë e barabartё me pagёn minimale mujore prej 26.000 lekёsh, pёr punonjёsit e papaguar tё familjes, me tё cilёt i vetёpunёsuari punon dhe bashkёjeton ligjёrisht.