Takim me gratë, Xhaçka: Kolonja potencial madhor për turizëm, prioritet lehtësimet për bizneset

26 Mars 2021, 10:50 | Përditesimi i fundit: 2021-03-26 10:54:43

KORÇË- Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka,  e shoqëruar nga kryebashkiaku Erjon Isai zhvilluan një takim me gratë në biznes në qytetin e Ersekës, ku diskutuan mbi sfidat dhe potencialin që kjo zonë ofron.

Xhaçka theksoi se fuqizimi i bizneseve vendase dhe bërja e zonës sa më tërheqëse për turizmin, do të sjellë një impakt direkt në mirëqënien e familjeve vendase dhe do ta bëjë Kolonjën më të aksesueshme.

Ne do vijojmë t'ju asistojmë, siç kemi bërë deri më sot: me taksën zero, me paketat financiare gjatë pandemisë, për ta ndihmuar dhe lehtësuar biznesin. Por edhe për t'i bërë aspiratat tuaja të përputhshme me vizionin që ne kemi për Kolonjën, për ta bërë më turistike dhe më të aksesueshme. Kjo sinergji dhe ky bashkëpunim do jenë kyçe në fuqizimin e Kolonjës, sepse jeni ju që e orientoni iniciativën private drejt një përfitimi më të madh dhe më të përputhshëm me atë që do të jetë oferta e zonës nesër", u shpreh ajo gjatë takimit.

Xhaçka, kandidate e PS në qarkun Korçë për zgjedhjet e 25 prillit nënvizoi se mbështetja për turizmin në 4 vitet e ardhshme, do ta bëjë Kolonjën kryeqendrën e turizmit katërstinor në Shqipëri dhe do të mundësojë edhe më shumë rritjen e punësimit në të gjithë zonën.