Takim në Durrës, Basha: I japim fund diskriminimit ndaj grave shqiptare

12 Mars 2021, 14:12

Në një bashkëbisedim që po zhvillon me disa gra demokrate në qytetin e Durrës, kryetari i opozitës Lulzim Basha premtoi se kur të vijë në pushtet PD do t'i japë fund diskriminimit ndaj grave dhe vajzave.

Basha tha se PD ka një skuadër të jashtëzakonshme zonjash që përfaqësojnë gratë shqiptare.

“Ne kemi një skuadër të jashtëzakonshme zonjash, të cilat përfaqësojnë gratë shqiptare dhe dëshirën e tyre për ndryshim. PD prej muajsh ka punuar me ekspertët më të mirë të fushës për të garantuar një nga objektivat tanë që është barazia gjinore, dhënia fund diskriminimit pas ka në çdo fushë, në fushën e punësimit, ku pagat tregojnë se puna e njëjtë ose më cilësore që bëjnë gratë paguhet më pak. Ne synojmë fuqizim në të gjitha aspektet, duke filluar nga arsimi, ku do të bëjmë të mundur që asnjë vajzë shqiptare që dëshiron të arsimohet të mos i mungojë kjo mundësi”, tha Basha.