Takimi jozyrtar për zgjerimin e BE-së/ Rama nga Brukseli: Sinjal se s'do jetë e lehtë... metodologjia e re uroj të jetë një platformë mirëkuptimi

16 Shkurt 2020, 21:54

BRUKSEL- Krerët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe liderët e Bashkimit Europian kanë zhvilluar një takim joformal në Bruksel mbrëmjen e sotme, në fokus të së cilit ka qenë perspektiva e zgjerimit të Unionit. Në fjalën e tij, në përfundim të takimit, kryeministri Edi Rama tha se ka marrë një sinjal se rrugëtimi deri në çeljen e negociatave nuk do të jetë i lehtë, e ndërsa theksoi se uron që metodologjia e re të jetë një platformë mirëkuptimi nga shtete anëtare.

"Të gjithë u ulën paksa me vështirësi sot në Bruksel, kështu që është një lloj sinjali se mbërritja për ne nuk do të jetë e lehtë. Por, në të njëjtën kohë i jemi shumë mirënjohës Presidentit të Këshillit të ri Evropian dhe të gjithëve këtu që po bëjnë shumë përpjekje për t’i dhënë shtysë procesit. Në të njëjtën kohë, jemi shumë të interesuar të shohim e të diskutojmë metodologjinë e re, e cila shpresoj që do të rezultojë si një platformë mirëkuptimi brenda shteteve anëtare", tha Rama. 

Nga ana tjetër, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen vuri theksin se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është një prioritet për BE-në, gjë që sipas saj e reflekton edhe metodologjia e re për zgjerimin. Von der Leyen tha se ndryshimet e bëra i hapet rruga për çeljen e negociatave Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në, mundësisht para samitit të Zagrebit, pra para muajit maj.

"Siç e dini kishim prioritet Ballkanin Perëndimor në Komision dhe e dini që është në interesin e përbashkët ta kemi sa më afër Bashkimit Europian Ballkanin Perëndimor. E dini që kemi rishikuar metodologjinë tonë dhe pas rishikimit kjo metodologji duhet të krijojë dhe rifitojë besimin e ndërsjelltë te procesi sepse përshpejton status quo-n e reformave dhe nga ana tjetër krijon prespektivë të besueshme për Ballkanin Perëndimor që t'i bashkohen në të ardhmen BE-së. Gjithashtu i hap rrugën Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të nisur negociatat për anëtarësim në BE mundësisht para Samitit të Zagrebit", tha Von der Leyen.