Task-forca rrugore ndëshkon 160 shoferë, probleme teknike dhe mbipeshën

12 Nëntor 2019, 17:01

TIRANË- 160 drejtues mjetesh janë ndëshkuar nga Task Forca e Transportit Rrugor për shkak se nuk kanë respektuar limitin e peshës për automjetet e tonazhit të rëndë ose kanë shfaqur probleme teknike të automjetit.

Sipas të dhënave të siguruara nga Report TV, Task-Forca që nga fillimi i këtij aksioni në muajin shtator e deri më tani, janë kryer rreth 500 kontrolle nga makina e lëvizshme dhe më shumë se 1/3 e tyre kanë rezultuar në shkelje.

Pajisja e lëvizshme e kontrollit teknik dhe peshorja, sipas Task-Forcës Rrugore po lehtëson ndjeshëm në identifikimin e drejtuesve që udhëtojnë me automjet jashtë kushteve teknike të parashikuara.  Aktualisht makina lëvizëse është në qytetin e Shkodrës.

Për të gjithë drejtuesit e gjetur me shkelje janë marrë masa ndëshkuese, me gjoba  që varjojnë nga 10 mijë lekë deri në 100 mijë lekë. Pas vendosjes së gjobës, subjektet kanë të drejtë të ankimojnë vendimin te Komisioni i vlerësimit të gjobave  i cili vendos për masën e penalitetit.

Aksioni filloi në1 shtator 2019 dhe do të shtrihet në të gjithë territorin, ende nuk është vendosur sa muaj do të zgjasë. Qëllimi i kësaj nisme është rritja e sigurisë rrugore sidomos për automjetet e transportit publik dhe tonazhit të rëndë.

B.K./Shqiptarja.com