Tatim për të dy-punësuarit, preken dhe pagat e larta, Ibrahimaj: 24 mijë persona përfshihen nga ky vendim

18 Nëntor 2019, 15:23 | Përditesimi i fundit: 2019-11-18 15:53:39

Ndryshimi i propozuar në ligjin “Për tatimin mbi të Ardhurat Personale”, për të tatuar individët e dy punësuar apo tre punësuar për totalin e të ardhurave, që marrin nga të gjitha punët, nuk do të prekë vetëm personat me paga nën 30 mijë lekë. Drejtoresha e Tatimeve ka sqaruar që, në rast se për shkak të ushtrimit të më shumë se një pune, kur vlera e të ardhurave arrin në mbi 140 mijë lekë, qytetari do të paguajë 23% tatim mbi të ardhurat, dhe jo më nga 13%.

“Kjo që është propozuar është që ju të paguani tatimin, siç paguani ju apo kushdo tjetër rast, siç paguan një individ i cili merr 70+80 mijë lekë. Pra kush merr 150 mijë lekë në varësi të fashave, do të paguajë detyrimin që është për t’u  paguar sipas ligjit. Pra të ardhurat janë të dy individëve të barabarta. Ai që është i dy punësuar paguan më pak se ai që është i një punësuar” u shpreh Delina Ibrahimaj.

Paraprakisht numri i personave që preken nga kjo masë që pritet të ndërmerret arrin në 24 mijë, dhe që janë individë të profesioneve të ndryshme.

“Jo vetëm që kemi konstatuar që është burim shmangie fiskale por është edhe e padrejtë, pasi mund të krijojë kushte të pabarabarta mes individëve. Nga verifikimet e kryera në sistemin tonë, janë 24 mijë individë që janë të dy apo më shumë punësuar në individë të ndryshëm. Dhe janë të profesioneve të ndryshme si inxhinier, arkitekt, ekonomist pedagog konsulent apo kuzhinier”  tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj ka hedhur poshtë mundësinë që nga ky propozim të shtohet numri i të punësuarve në të zezë.

“Ne kemi intensifikuar kontrollet në terren dhe jemi duke u përqendruar tek punësimi i parregullt apo pagat, dhe jo vetëm ne por edhe Inspektorati i Punës” deklaroi drejtoresha e Tatimeve.

Propozimi i Këshillit të Ministrave për të tatuar në mënyrë progresive të dy-punësuarit dhe jo vetëm, është pjesë e Paketës Fiskale të vitit 2020, dhe po shqyrtohet në komisionet parlamentare.