Të dielën finalja e Kupës. Kukësi për të përligjur investimet, Tirana për të shpëtuar sezonin

1 Qershor 2019, 19:15

Të dielën në orën 17:00 në stadiumin “Elbasan Arena” do të kurorëzohet fituesi i trofeut të dytë më të rëndësishëm në Shqipëri, Kupës së Republikës. Përballë njëra-tjetrës do të vihen Kukësi dhe Tirana, dy skuadra që synojnë me patjetër fitoren për të shpëtuar sezonin. Verilindorët e mbyllën në vendin e dytë kampionatin, por trofeu i Kupës është ai që mund të përligj ivenstimet.

Ernest Gjoka, trajner i Kukësit: “Kupa është një tjetër objektiv, është një obligim për skuadrën, por sigurisht që ka vështirësitë e saj. Kemi përballë një ekip si Tirana që pavarësisht se në çfarë momenti ndodhet kanë një histori shumë të madhe. Kjo gjithmonë të krijon vështirësi përballë skuadrave të këtij niveli.”

Ndërkohë trajneri i Tiranës Ardian Mema fillimisht shprehet se bardheblutë në këtë sfidë do të shkojnë të lehtësuar psikologjikisht pas arritjes së objektivit mbijetesë, ndërsa për ndeshjen deklaron:

“Nëse do të luajmë në bllok dhe do të kemi një mentalitet fituesi çdo ekip në Shqipëri mund ta kalosh.”

Edhe pse fitimi i Kupës të dërgon në Kupat e Europës Tirana me shumë mundësi nuk mund të marrë pjesë. I pyetur për licensimin Mema përgjigjet:

“Unë kam për detyrë të punoj, të luftoj, të fitoj Kupën, ndërsa për pjesën tjetër përgjigjen zyrtarët e klubit, të cilët janë raportet e tyre me FSHF-në.”