TIRANË- Mungesën e opozitës në Parlament që në nisje të këtij sesioni, Basha nuk e quan bojkot. Ai solli draftin e Vettingut të politikanëve si një tregues i angazhimit të Partitë Demokratike për të diskutuar nisma ligjore.
Nuk ka bojkot parlamentar. Ne kemi qënë më aktiv se maxhoranca në propozimin e ligjeve, nismave. Ligji për Vettingun është tregues u qartë për këtë. Nuk ka bojkot parlamentar.
Lulzim Basha, kryetar i PD
Për ta përforcuar këtë qëndrim, Basha solli dhe gadishmërinë e PD për të qenë në komisionin e reformës zgjedhore që në mbledhjen e parë.
Nuk kemi bojkotuar asnjë sesion të Komisionit, nuk do të bojkotojmë asnjë sesion të Komisionit thënë kjo, duhet të jemi syçelur sepse spiralja ku e ka futur sot procesin e Reformës Zgjedhore Edi Rama, është shkatërrimi i Reformës Zgjedhore.
Lulzim Basha, kryetar i PD
Më herët nga godina e Kryeministrisë, Edi Rama i afroi Bashës një paketë anti-të fortësh, me shpresën e rikthimit të PD, siç tha ai, nga bota e filmit në përballjen reale me kriminalitetin.
Qeveria ka nisur draftimin e një pakete ndryshimesh në Kodin Penal për të fortët. Kështu quhet paketa, “Të fortët”, të cilëve, përmes një trajtimi ekzemplar, përmes përshkallëzimit të presionit të Policisë së Shtetit në çdo territor, do t’u rezervojmë dhe ndëshkime penale ekzemplare për format e tyre të preferuara të karshillëkut ndaj ligjit, ndaj qytetarëve dhe ndaj biznesit. Së shpejti këto paketa do t’i ndajmë me opozitën duke shpresuar shkëputjen e tyre nga bota e filmave në atë reale.
Edi Rama, kryeministër
Si përplasje mes të fortëve Basha e komentoi për herë të parë dhe përplasjen në ish-bllok, ndërsa solli në vëmendje një udhëtim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahri në Gjermani.
Ngjarja e fundit në Tiranë që na u shit për 4 ditë si përplasje për një këngëtare, është zbuluar që është përplasje për pazare droge ku janë të përfshirë trafikantë të njohur dhe të dokumentuar me lidhje me pushtetin. E mbani mend kur Saimir Tahiri u nis për në Gjermani, pasi ia kthyen pasaportën? E dini me kë ishte në Gjermani? Me këtë Matën e përfshirë në lokal në goditjen me armë mes bandave.
Lulzim Basha, kryetar i PD
Lulzim Basha paraqiti në fjalën e tij një gjendje e rënduar të kriminalitetit në vend por pavarsisht kësaj, ai la të kuptohet se nuk do të ketë protestë në një datë të afërt, edhe pse i bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë dhe pengojnë krimin.