'Të gatshëm për zgjidhjen e krizës', Kryemadhi flet pas takimit me aleatët

24 Shtator 2019, 15:34

Kryetarja e LSI-se Monika Kryemadhi u shpreh pas përfundimit të takimit që aleatët e djathtë zhvilluan pasditen e sotme në selinë blu se opozita është e gatshme të bashkëpunojë për zgjidhjen e krizës, duke thënë se i vetmi pengesë për zgjidhjen e saj ka qenë kryeministri Rama me kupolën e tij kriminale.

"Kemi vendosur që të përfaqësohemi me ekspertë, dhe do të mbajmë qëndrimin tonë në këtë tryezë. Sa i përket krizës, problemi ka qenë kryeministri për zgjidhjen e saj, opozita ka qenë për institucionalizimin e dialogut, kemi qenë të gatshëm edhe për të dhënë votat për reformën në drejtësi. Ju kujtoj reformën në drejtësi, amendamentet që kemi dorëzuar ne në Kuvende për SPAK dhe Byronë e Hetimit. Sot nëse do ishin  miratuar këto  do kishim Gjykatë Kushtetuese në vend. Opozita ka qenë gjithmonë e gatshme jo për të zgjidhur krizën personale te Edi Ramës por për të hapur negociatat me BE. Opozita po vazhdon punë për të përgatitur krizën.

Mjafton të bëni kërkesë për të pasur dijeni sa është fondi për emergjencat. Është zero. Ajo çka opozita do të propozojë është paketa anti-krizë për t'i dhënë shqiptarëve, siguri dhe garanci që edhe ku të jeni të lirë nga propaganda mediatike e Edi Ramës", u shpreh Kryemadhi.