Të gjithë në shtëpi nga koronavirusi/ Shijoni 'spektaklin' nga 'vetëkarantinimi'

15 Mars 2020, 14:50

TIRANË- Nëse keni pasur në lagje një instrumentist, që shpesh mund t'ju ketë mërzitur me provat që bënte në shtëpi, sot do ta vlerësoni më shumë se kurrë.

Pas duartrokitjeve për mjekët që po luftojnë me koronavirusin, një nismë e veçanta u ndërmor nga ministria e Kulturës dhe në fokus janë instrumentistët.

Sot , në orën 12:00 ata patën një mision të veçantë: të zgjojnë me muzikë shqiptarët që janë në vetëkarantinim. Një nismë e tillë është parë edhe në Italinë fqinje, por është shtrirë edhe në Shqipëri si një mënyrë shumë e veçantë për ta kaluar më lehtë vetëkarantinimin dhe për të ndihmuar në luftën psikologjike këdo që i duhet të qëndrojnë brenda katër mureve, për të shpëtuar vendin.

Ndërkohë një ambulancë, që në normalitet simbolizon një jetë që është në rrezik, në këtë orar qarkulloi në rrugët e boshatisura të Tiranës, duke lëshuar tingujt e himnit kombëtar, që bëri që të gjithë të dalin në ballkone për ta shijuar.