Të karantinuarit në Durrës shijojnë detin nga ballkonet, hoteli i blinduar, ushtarët të armatosur

20 Prill 2020, 11:42

Report Tv ka bërë sot një vëzhgim në dy hotelet te Shkëmbi i Kavajës në Durrës ku janë vendosur 200 shqiptarët që u kthyen dy ditët e fundit nga vendet e Europës me ‘Air Albania’-n në operacionin e nisur nga e qeveria. Rregullat në dy hotelet janë strikte, tek dera qëndrojnë dy ushtarë me kallashnikov në dorë që nuk lejojnë hyrje daljet e paautorizuara. Gjithçka për të karantinuarit ofrohet nëpër dhoma, ndërsa një përfaqësues i ISHP-së ndjek të gjithë ecurinë. Gazetari i Report Tv në Durërs Artur Korriku raporton se disave prej të karantinuarve u janë marrë tamponët. Personat që janë sistemuar në hotele janë në dhoma të ndryshe, teke ose dyshe.  Në pamjet e siguruara nga Report Tv në ballkonet dhe dritaret e hoteleve duken të karantinuarit që po shijojnë detin në izolimin e detyruar. Pas 14 ditëve në karantinë dhe pas tamponëve ata do të lejohen që të bashkohen me familjen.