Të mbetur jashtë kufirit/ Kthehen në atdhe 66 shqiptarë nga Gjermania

31 Mars 2020, 17:35

TIRANË - 66 shqiptarë u kthyen sot në atdhe në kuadër të operacionit humanitar të riatdhesimit të shqiptarëve që janë bllokuar në vendet europiane.

Shqiptarët iu nënshtruan kontrolleve të rrepta mjekësore të autoriteteve në aeroportin Nënë Tereza në Rinas, ndërsa do të duhet të qëndrojnë 14 ditë në vetëkarantinim. Emrat e tyre u dërgohen policisë për të kontrolluar nëse e zbatojnë të qëndruarit në shtëpi për 2 javë.

Të riatdhesuarit do të kthehen në shtëpitë e tyre nga familjarët të cilët kanë marrë autorizim nga policia e shtetit për të lëvizur me automjet përtej orarit të lejuar 13:00, e po ashtu edhe për të udhëtuar në akset ndërqytetëse. 

Ky operacion për rikthimin e shqiptarëve do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, referuar një liste për të cilën kryeministri Edi Rama ka deklaruar se është e mbyllur. 

Udhëtimi është i paguar nga "Air Albania", ku avioni do të kthehet sërish në Frankfurt për të marrë pjesën tjetër të shqiptarëve të mbetur në Gjermani, dhe në orën 1 pas mesnate, do të mbërrijë në Shqipëri.

    No videos found.