Të mërkurën 4 ndeshjet çerekfinale të Kupës, spikat Laçi-Partizani! Daja: Shanset për kualifikim janë 50 me 50

16 Mars 2021, 15:52

 

Tetë ekipe çerekfinalistë të Kupës së Shqipërisë do të përballen me njëra-tjetrën të mërkurën për katër bileta të fazës tjetër. Ndryshe nga sezonet tjera kjo fazë është tek ndeshje, ndërsa më së shumti spikat Laçi-Partizani. Në prag të sfidës Ilir Daja, trajner i Partizanit, ekip që vjen pas fitores në derbi me Tiranën, deklaron se mundësitë për kualifikim në këtë ndeshje janë të barabarta.

Ilir Daja, trajner i Partizanit: “Është një ndeshje që kualifikimi është me 50 me 50 për shkak të ecurisë që kanë të dyja ekipet deri në këto momente, si në kampionat ashtu edhe në Kupë. Duhet ta mendojmë këtë 90 minutësh si një ndeshje ku duhet të japim gjithçka.”

Ndërkohë përballja tjetër shumë interesante do të luhet në Durrës mes Teutës dhe Kukësit. Trajnerët e dy skuadrave, Edi Martini dhe Mirel Josa, janë shprehur:

Mirel Josa, trajner i Kukësit: “Për ne është rruga e vetme me të cilën ne mund të vazhdojmë për të pretend për të dalë në Europë. Pavarësisht ulje ngritjeve besoj se skuadra është në gjendje të mirë, pavarësisht aspektit psikologjik. Nesër kemi pretendime se ekipi do jap 100%.”

Sakaq në Shkodër Vllaznia e njëmijë e një problemeve pret Korobain, një kundërshtar ideal për t’i dhënë fund ecurisë negative, sidomos edhe pas lajmeve për shkarkimin e trajnerit.

Erdenis Gurishta, kapiten i Vllaznisë: “Nomalisht që përgjegjësi kanë të gjithë, por nëse kemi ardhur deri këtu meritë kanë të gjithë. E them me bindje të plotë se trajneri ka mbështetjen e gjithë ekipit dhe mund të them që është ndër më të mirët që ka ardhur në Shkodër.”

Elvis Plori, zëvendëstrajner i Vllaznisë: “Kupa është shumë e rëndësishme sepse është një objektiv i Vllaznisë. Unë mendoj se e kemi një mundësi të mirë për të marrë një trofe. Duhet të përqendrohemi dhe të mos bëjmë nënvlerësime.”

Ndërkohë sfida tjetër që do luhet në kompleksin internacional është mes Dinamos dhe Skënderbeut.