Të mërkurën java e 7 e Superligës, spikat Partizani-Teuta! Daja: Ndeshja do të vendoset nga episodet

8 Dhjetor 2020, 17:39

Të mërkurën do të luhet java e 7 e Superligës, e cila mbi të tjera rezervon një përballje tepër interesante mes Partizanit dhe Teutës, e cila do të luhet në Elbasan Arena. Sipas trajnerit të Partizanit Ilir Daja ky takim do të përcaktohet nga episode.

Ilir Daja, trajneri i Partizanit: “Është një ndeshje që besoj se do zgjidhet nga episode për faktin se Teuta nuk ka asnjë humbje, ndërsa ne kemi shumë ndeshje që nuk pësojmë. Kjo do të thotë se të dy ekipet në fazën mbrojtëse janë shumë të forta. Do jetë një ndeshje e dyluftuar sidomos në 1/3 e fushës. Kjo do të bëjë që të ketë vështirësi shumë të madhe në ndërtimine  aksioneve sulmuese.

Ndërkohë Tirana e Nevil Dedes, që pas 4 ndeshjesh në kampionat nuk e ka gjetur ende fitoren, do të përballet në transfertë kundër Laçit.

Visar Bekaj, portieri i Tiranës: “Kam dëgjuar që në Laç është shumë vështirë për të fituar. Është ekip shumë i mirë, ka kualitet, por ne jemi përgatuitur maksimalisht. I harrojmë të gjithë ndeshjet deri më tani, pasi kjo është finalja e parë tashmë për ne. Do e luajmë si finale.

Nevil Dede, trajner i Tiranës: “Asnjë trajner nuk do të ndihej mirë nëse do merrte kaq pikë në 4 ndeshje. Gjithsesi ky kampionat ka një specifikë, që kur të mbarojnë 9 javatë e para, atëherë mund të konturohen të gjitha ekipet.”

Në Kamëz, Kastrioti i Ramaza Ndreut që ka bërë një nisje të shkëlqyer, do të presë Vllazninë e vendit të parë.

Ramadan Ndreu, trajner i Kastriotit: “Mendoj që deri në këto momente jemi në rregull si me pikë, si me lojra. Ajo që më bën optimist është lojrat e mira, harmonia, disiplina, elementë që të japin siguri për të ardhmen. Shpresoj që kundër Vllazninë, e cila është një ndeshje shumë e vështirë, të bëjmë maksimumin për të marrë rezultat pozitiv.”

Dy takimet tjera të kësaj jave do të luhen në Fier mes Apolonisë dhe Skënderbeut dhe tjera në Ballsh mes Bylisit dhe Kukësit, skuadrës së drejtuar nga Gega që në 3 ndeshjet e fundit ka 3 fitore.