Të moshuarit në Tiranë shah e domino: E dimë që s'duhet të dalim, por nuk i rezistuam diellit

16 Mars 2020, 14:49

TIRANË- Në orën 08:00 ka përfunduar afati kohor i vendosur në dispozicion të qytetarëve për t’u drejtuar vendbanimeve të tyre. Nga ky moment i gjithë vendi futet në karantinë ndërkohë që lëvizja e automjeteve do të lejohet vetëm në dy orare, prej orës 5 të mëngjesit deri në orën 8 të mëngjesit kur qytetarët i drejtohen vendeve të punës së tyre dhe pasdite prej orës 16:00 deri në orën 17:00 kur ata kthehen në banesën e tyre.

Nga një vëzhgim i bërë nga kamera e Report Tv, të vetmet makina të cilat do të mund të qarkullojnë përtej këtij orari do të jenë vetëm ato automjetet e autorizuara si dhe ato të policisë që çdo ditë i nënshtrohen dezinfektimit në kuadër të masave për parandalimin e Covid-19.

E nëse lëvizja e automjeteve është e kufizuar nuk mund të thuhet e njëjta gjë për këmbësorët të cilët sërish vijojnë të  qarkullojnë në grupe dhe pa maska mbrojtëse.

E njëjta panoramë paraqitet edhe në parqet e kryeqytetit ku mosha e tretë e ka të vështirë të heq dorë nga mjediset çlodhëse, duke shkelur kështu një nga udhëzimet të parandalimit të koronavirusit bazë atë të ruajtjes së distancës nga njëri tjetri për të paktën 1 metër.

“A nuk mendoni se është më mirë të qëndroni në shtëpi? Më mirë është por ja që mërzitemi. Po pse nuk jeni pajisur me maskë? Ku t'i gjejmë maskat|

"Nuk është më mirë të qëndroni në shtëpi? Mirë është po me këtë diell që ka dalë na e ka prishur mendjen, çfarë të them rregullat i kemi dëgjuar të gjitha.”-u shprehën disa nga të moshuarit.

Është dashur ndërhyrja e policisë dhe ushtrisë që prej ditësh kanë zbarkuar në terren, që edhe kjo pjesë e qytetarëve të braktisin këtë ambiente.