Të Paharruarit! Ambasadori i Austrisë mesazh në shqip nga Spaçi: E vërteta ulëret

30 Maj 2019, 22:24

Të Paharruarit! Përkujtimore në letërsi dhe muzikë, ishte aktiviteti i organizuar në ish-burgun më famëkeq të Spaçit në Mirditë.

E kaluara e Spaçit, si një nga shëmbëlltyrat më të egra të regjimit të diktaturës, është sjellë në vëmendje në këtë aktivitet nga ambasadori i Austrisë Johann Sattler, ministrja e Kulturës Elva Margariti, Agron Tufa drejtor i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) dhe Jonida Godole Drejtore e Institutit për  Demokraci, Media dhe Kulturë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti theksoi nevojën për dialog mbi të shkuarën, që duhet të përfshijë vendet e kujtesës dhe ruajtjen e tyre.

"Më vjen ndër mend një thënie e Faik Konicës, 'E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike, e vërteta ulëret'.

Pikërisht për ketë jemi sot këtu, për të mos lënë në harresë këtë të vërtetë, por për ta parë në sy, për të kundërshtuar regjimin e diktatorit" tha ambasadori Johann Sattler në gjuhën shqipe.

Ish-të dënuar kthyen në kohë vuajtjet nëpërmjet shkrimeve në librat e tyre.