Të pasigurta për konsum/ AKU bllokon 387.1 ton mish në Durrës, kthehet në vendin e origjinës

23 Gusht 2019, 14:23

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar gjatë ditëve të fundit në Portin e Durrësit  një sasi prej 387.1 ton mish i cili ishte i papërshtatshëm për konsum njerëzor, dhe si rrjedhojë kanë vendosur për kthimin e tyre në vendin e origjinës. Deri më tani janë kthyer në vendin e origjinës  234.5 ton mish janë ndërsa 152.6 ton të tjera janë në proces për kthim.

Konkretisht AKU njofton se tre ngarkesa me sasi totale 74.946 ton “Mish Derri” me origjinë nga Kanadaja, importuar nga subjekti “FRIGO ALB shpk”, rezultuan se nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe kishin mangësi në besueshmërinë e dokumentacionit shoqërues (kryesisht të certifikatës veterinare si dokumenti kryesor i sigurisë së produktit si dhe certifikatat e analizave raportonin prezencë Ractopaminë, një produkt mjekësor veterinar i paregjistruar dhe i ndaluar për përdorim në Shqipëri dhe në BE)

Po ashtu dy ngarkesa me sasi totale 52.257 ton “Mish Viçi” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “Apetit shpk”, në rregjim tranzit në territorin e Shqipërisë me destinacion final Kosovën, rezultuan me mangësi dhe mospërputhje thelbësore në dokumentacionin shoqërues të mallit (çertifikata e origjinës dhe ajo veterinare mbanin të dhëna të ndryshme nga dokumenti i transportit dhe fatura komerciale) çka e bën mallin ushqimor të importuar pa identitet të konfirmuar dhe të pasigurt për konsum.