'Të rinjtë shqiptarë ikin jashtë te ‘shtëpitë e barit’, Rama nga Lapraka: Është e dhimbshme

11 Prill 2021, 13:34 | Përditesimi i fundit: 2021-04-11 13:48:45

I pranishëm në Tiranë, në një bashkëbisedim me të rinjtë, kryeministri Edi Rama, i bëri apel këtyre të fundit që të mos largohen nga vendi, të nxitur nga luksi që shohin në Instagram.

Ai tha se shumë prej tyre nisen jashtë pasi shohin bashkëmoshatarët me "Benz", por më pas përfundojnë në shtëpi bari dhe trajtohen si skllevër. Sipas Ramës, qëllimi i tij nuk është të pengojë të rinjtë të ikin, por të zgjedhin dhe nëse do të duan të largohen nga vendi, të jenë të "armatosur" me një zanat.

"Sot shumë të rinë shikojnë në Instagram bashkëmoshatar me Benz, avion privat e vila dhe e duan atë që shohin menjëherë edhe nisen, ikin, është shumë  e dhimbshme, kur një i ri largohet dhe ndërkohë nuk e ka as zanatin për të përballuar jetën atje, as përgatitjen për t'u përballur me çfarë e pret atje dhe bien pre e atyre që i marrin të rinjtë e i fusin në shtëpitë e barit në Holandë, i trajtojnë si skllevër. Unë nuk dua që të rinjtë të mos ikin, por të zgjedhin dhe nëse vendosin të ikin, të jenë të armatosur me një zanat dhe atje të jenë shqiptarët që dinë të ofrojnë një shërbim dhe jo ata që bien pre e lloj-lloj duarve të zeza dhe i nxihet jeta, por për të bërë këtë duhet shumë kohë dhe shumë punë", u shpreh Rama.