Tirranë, të rinjtë pa maska në autobus! E 'harrojnë' dhe shoferët e autobusëve, vëzhgim i Report TV

25 Gusht 2020, 11:50 | Përditesimi i fundit: 2020-08-25 13:49:39

TIRANË- Shifrat e COVID-it janë kokëfortë, por kjo nuk është reflektuar në ndërgjegjësimin e qytetarëve. Të rinjtë janë më të papërgjegjshmit, ku maska duket se është shndërruar si një aksesor, duke e mbajtur në dorë, gjysmë të vendosur pa mbuluar pjesën e gojës dhe hundës, çka e bën atë të pavlefshme. 

Report Tv me gazetarin Arsen Rusta është ndalur te stacioni i autobusëve te 9- katëshet, një nga stacionet me fluksin më të madh të pasagjerëve, ku panorama që ofrohet nuk është aspak optimiste, jo vetëm te qytetarët, por as te punonjësit, fatorinot dhe shoferët e autobusëve.

Ajo që e bën situatën më alarmante është mungesa e kontrolleve nga institucionet përgjegjëse. Pëgjegjësia për mosmbajtjen e maskës është individuale, pra e vetë qytetarit, por në kushtet kur ata janë të papërgjegjshëm dhe bëhen shkaktar për përhapjen e virusit, askush nuk i ndëshkon. Për më shumë se 30 minuta raportim "live" të Report Tv, në stacion nuk u vu re asnjë kontroll. Mungesën e tyre e vënë re edhe nga vetë qytetarët.

" E përdorim autobusin se s'kemi alternativë tjetër. Shohim njerëz pa maska, po boll u kemi fol. Thonë "po, po", po s'e vendosin. Duhet të kenë kontrolle nga institucionet, marrin lekët, por nuk bëjnë punën", thotë një nga qytetarët.