Atentat me armë zjarri në Vlorë, dy të vrarë dhe një i plagosur pranë Ujit të Ftohtë

17 Shkurt 2019, 12:57 | Përditesimi i fundit: 2019-02-17 15:54:18

Dy të vrarë dhe një i plagosur është bilanci i një ngjarje të rëndë të ndodhur në qytetin e Vlorës mesditën e sotme, pranë "Ujit të Ftohtë" në qytetin bregdetar.

Nga terreni, gazetari i Report Tv, Armand Xhelili, raporton se në rrethana ende të paqarta kanë mbetur të vrarë dy persona dhe një tjetër i plagosur.Mësohet se i plagosur është transportuar për në spital dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Dyshohet të ketë pasur një konflikt mes personave të përfshirë në ngjarje, por pritet të mësohen më shumë detaje nga Policia e Vlorës e cila ka mbërritur në vendngjarje.

Kanë qenë banorët e zonës që kanë raportuar pranë uniformave blu për të shtëna me armë, nga ku më tej u zbulua bilanci i rëndë me dy viktima dhe një të plagosur.